Kur flitet për luftëra, vëmendja zakonisht përqendrohet te betejat, ofensivat ushtarake dhe zhvillimet në front. Megjithatë, shumica e konflikteve nuk përfundojnë me një fitore të qartë ushtarake, por në tavolinën e negociatave.
Pikërisht aty vendoset se si do të ndërpriten luftime, si do të zgjidhen mosmarrëveshjet dhe çfarë forme do të marrë paqja pas konfliktit. Negociatat për t’i dhënë fund një lufte janë procese të ndërlikuara, që shpesh zgjasin muaj apo edhe vite.
Ato kërkojnë jo vetëm vullnet politik, por edhe një kombinim faktorësh që ekspertët e diplomacisë i konsiderojnë thelbësorë: delegacione me autoritet vendimmarrës, objektiva të qarta, ndërmjetës të besueshëm, një ambient neutral dhe, mbi të gjitha, shumë durim.
Një shembull i kohëve të fundit ishte marrëveshja për armëpushimin në Rripin e Gazës, e arritur në janar të vitit 2025 në Doha të Katarit. Delegacionet e Izraelit dhe Hamasit ndodheshin në të njëjtën ndërtesë, por nuk pranonin të takoheshin drejtpërdrejt.
Mesazhet dhe propozimet kalonin përmes ndërmjetësve nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët lëviznin vazhdimisht nga njëra dhomë në tjetrën. Ky model negociimi përdoret shpesh kur niveli i mosbesimit mes palëve është aq i lartë sa komunikimi i drejtpërdrejtë bëhet i pamundur.
Sipas ekspertëve, momenti kur dy kundërshtarë vendosin të negociojnë vjen zakonisht kur të dyja palët arrijnë në përfundimin se vazhdimi i luftës kushton më shumë sesa përfitimet që mund të sjellë. Në këtë pikë, diplomacia shihet si një alternativë më e dobishme se dhuna.
Megjithatë, edhe kur ekziston gatishmëria për të biseduar, rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë. Një nga hapat e parë është përcaktimi i rregullave të negociatave.
Palët duhet të bien dakord jo vetëm për temat që do të diskutohen, por edhe për mënyrën se si do të zhvillohen bisedimet, kush do të marrë pjesë dhe ku do të mbahen takimet.
Historia ofron shembuj të shumtë që tregojnë sa të ndjeshme mund të jenë këto detaje. Gjatë negociatave për fundin e Luftës së Vietnamit, procesi mbeti i bllokuar për më shumë se tre muaj për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi formën e tavolinës ku do të uleshin delegacionet.
Çdo model interpretohej si një njohje politike e një pale ose tjetrës. Vetëm pasi u gjet një kompromis, mundën të vazhdonin bisedimet. Një rol vendimtar në çdo proces paqeje luajnë ndërmjetësit.
Ata mund të jenë shtete, organizata ndërkombëtare ose figura diplomatike me reputacion. Detyra e tyre është të krijojnë ura komunikimi, të zbusin tensionet dhe të ndihmojnë palët të identifikojnë pika të përbashkëta. Për të qenë efektivë, ndërmjetësit duhet të gëzojnë besimin e të dyja palëve dhe të perceptohen si të paanshëm.
Në rastet kur palët refuzojnë të takohen drejtpërdrejt, ndërmjetësi bëhet kanali i vetëm i komunikimit. Kjo metodë, e njohur si “diplomacia e shuttle-it”, u bë e famshme gjatë viteve 1970 nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, i cili udhëtonte vazhdimisht mes vendeve të Lindjes së Mesme për të përcjellë mesazhe dhe propozime.
Por negociatat nuk janë vetëm çështje dokumentesh dhe formulimesh politike. Ato kanë edhe një dimension të fortë njerëzor. Për këtë arsye, shumë bisedime zhvillohen në hotele ose qendra konferencash neutrale, ku delegacionet mund të qëndrojnë për periudha të gjata.
Këto ambiente krijojnë mundësi për kontakte informale, që shpesh rezultojnë po aq të rëndësishme sa takimet zyrtare. Ekspertët e ndërmjetësimit, argumentojnë se paqja fillon kur kundërshtarët arrijnë të pranojnë ekzistencën e njëri-tjetrit si bashkëbisedues.
Shpesh, një darkë, një bisedë e rastësishme apo një takim jashtë protokollit, mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe krijimin e një minimumi besimi. Por vitet e fundit proceset diplomatike janë përballur me sfida të reja.
Shumë liderë politikë kërkojnë rezultate të menjëhershme, ndërsa negociatat tradicionale kërkojnë kohë. Përpjekjet për të arritur marrëveshje të shpejta shpesh kanë prodhuar rezultate të pjesshme ose kanë dështuar plotësisht. Kjo është parë në konfliktin në Ukrainë, por edhe në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Përvoja historike tregon se nuk ekziston një formulë magjike për t’i dhënë fund një lufte. Çdo konflikt ka specifikat e veta dhe kërkon zgjidhje të ndryshme. Megjithatë, një element mbetet i pandryshueshëm: paqja nuk ndërtohet brenda natës.
Ajo është rezultat i një procesi të gjatë, të vështirë dhe shpesh të padukshëm për publikun, ku durimi, dialogu dhe kompromisi mbeten armët më të fuqishme. \tesheshi.com\