Për çfarë shërbejnë bazat ushtarake amerikane në Evropë?

Që prej rikthimit të Donald Trump në presidencën e Shteteve të Bashkuara në fillim të vitit 2025, marrëdhënia mes SHBA-së dhe Europës është futur sërish në një fazë pasigurie. Trump ka kërcënuar disa herë se do të tërheqë një pjesë të trupave amerikane të vendosura në Evropë, duke krijuar shqetësim tek aleatët europianë.

Në fillim Pentagoni njoftoi anulimin e dërgimit të më shumë se katër mijë ushtarëve drejt Evropës, por pak ditë më vonë Trump ndryshoi qëndrim dhe deklaroi se do të vendoste edhe pesë mijë ushtarë të tjerë në Poloni.

Kjo lëvizje kontradiktore tregoi jo vetëm stilin e paparashikueshëm të Trump, por edhe paqartësinë mbi të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në kontinent. Megjithatë, shumë ekspertë besojnë se reduktimi gradual i pranisë amerikane në Europë ka nisur shumë përpara Trump-it.

Shtetet e Bashkuara po përqendrojnë gjithnjë e më shumë vëmendjen te rajoni i Paqësorit dhe rivaliteti strategjik me Kinën. Evropa nuk është më prioriteti absolut i politikës së jashtme amerikane si gjatë Luftës së Ftohtë.

Bazat ushtarake amerikane në Evropë u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht ato shërbenin si forca pushtuese në vendet e Boshtit të mundur, por më vonë u bënë pjesë e arkitekturës së NATO-s.

Aleanca Atlantike u themelua në vitin 1949 për të garantuar mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare kundër Bashkimit Sovjetik. Në dekadat që pasuan, SHBA-ja ndërtoi baza të mëdha ushtarake sidomos në Gjermani dhe Itali, ku u vendosën edhe armë bërthamore.

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, numri i ushtarëve amerikanë në Europë arriti pothuajse gjysmë milioni. Sot janë rreth tetëdhjet mijë. Roli kryesor i këtyre bazave është parandalimi ushtarak. Prania amerikane e bën çdo sulm ndaj Europës automatikisht një sulm ndaj SHBA-së.

Kjo krijon një efekt frenues shumë të fortë për çdo kundërshtar të mundshëm, sidomos për Rusinë pas pushtimit të Ukrainës. Por SHBA-ja nuk i mban bazat vetëm për të mbrojtur Evropën. Ato janë gjithashtu thelbësore për interesat amerikane në botë.

Nga këto baza janë mbështetur operacionet në Lindjen e Mesme, Afganistan, Irak dhe Afrikë. Europa funksionon si një qendër logjistike dhe strategjike për ushtrinë amerikane. Pa to, shumë operacione ushtarake globale do të ishin shumë më të vështira ose të pamundura.

Përveç aspektit ushtarak, ekziston edhe një dimension politik. Prania amerikane në Europë i ka dhënë Uashingtonit ndikim të madh diplomatik mbi vendet europiane. Për dekada me radhë marrëdhënia mes SHBA-së dhe Evropës bazohej në një lloj marrëveshjeje të pashkruar: Amerika garantonte sigurinë, ndërsa Europa siguronte besnikëri politike dhe strategjike.

Trump e sheh ndryshe këtë raport. Ai e konsideron praninë amerikane si një barrë ekonomike dhe kërkon që europianët të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre. Në vizionin e tij, aleancat nuk bazohen më te partneriteti strategjik afatgjatë, por te përfitimi i menjëhershëm ekonomik.

Ndërkohë, edhe vetë europianët janë të ndarë për praninë e bazave amerikane. Në Poloni shumica e qytetarëve i mbështesin, sepse i shohin si mbrojtje kundër Rusisë. Në vende të tjera, si Italia, shumica e popullsisë është kundër.

Pyetja kryesore sot është nëse Evropa mund të mbrohet vetë pa SHBA-në. Ekspertët thonë se një tërheqje totale amerikane është shumë pak e mundshme, por Evropa ende varet nga amerikanët për teknologji ushtarake, inteligjencë satelitore dhe mbrojtje strategjike.

Për këtë arsye, Bashkimi Europian po investon gjithnjë e më shumë në forcimin e mbrojtjes së përbashkët. \tesheshi.com\