Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, vetëm pesë muaj pas raundit të fundit. Kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) synojnë një mandat të ri për të kapërcyer ngërçin institucional, por gara mbetet e hapur dhe e paparashikueshme.
Në këto zgjedhje garojnë 21 subjekte politike me 902 kandidatë. Duke qenë se intervali mes dy proceseve është i shkurtër, programet janë të ngjashme me ato të mëparshmet, të përqendruara në energji, rritje pagash, politika sociale, zhvillim infrastrukture dhe teknologji.
LVV, aktualisht në pushtet, synon të tejkalojë rezultatin rekord prej 51.1 për qind të arritur në dhjetor 2025, duke vendosur si objektiv deri në 61 për qind. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) deklaron se do t’i japë fund krizës politike dhe synon fitoren, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e përforcuar nga rikthimi i Vjosa Osmanit, shpreson të rikuperojë terrenin e humbur dhe të dalë forcë e parë.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është dorëheqja e Ramush Haradinajt nga drejtimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas dy dekadash në krye. Ardian Gjini është kandidati për kryeministër i kësaj force. Ndërkohë, Partia Socialdemokrate (PSD), e drejtuar nga Dardan Molliqaj, ish-bashkëpunëtor i Kurtit, synon të hyjë në parlament dhe të pozicionohet si kundërshtare e fortë e qeverisë.
Sipas koalicionit monitorues “Demokracia në Veprim” (DNV), ditët e para të fushatës u karakterizuan nga dominimi i liderëve, mungesa e debateve mes kandidatëve për kryeministër dhe raste të përdorimit të fëmijëve në aktivitete elektorale.
DNV ngre shqetësimin për një trajtim të pabarabartë në garë, duke theksuar përdorimin e burimeve publike para nisjes zyrtare të fushatës. Gjashtëmbëdhjetë ditë para zgjedhjeve, qeveria në detyrë shpërndau pagesa të njëhershme prej 100 euro për pensionistë, studentë dhe kategori të tjera, në kuadër të një pakete kundër inflacionit.
Katër ditë më vonë, u ndanë 2 milionë euro për mbështetjen e linjave ajrore që shërbejnë diasporën. Opozita e ka cilësuar këtë si përpjekje për ndikim elektoral, ndërsa qeveria e ka mohuar çdo lidhje me blerjen e votave.
Diskursi zgjedhor karakterizohet nga polarizim i theksuar. Fushata dominohet nga etiketime dhe akuza të ndërsjella mbi përgjegjësinë për përsëritjen e zgjedhjeve.
LVV akuzon opozitën për bllokim institucional dhe mungesë kompromisi, ndërsa partitë rivale e akuzojnë qeverinë për arrogancë dhe imponim politik. Kjo strategji e ashtuquajtur “karta e fajit” ka thelluar ndarjet “ne dhe ata”, duke lënë në hije debatet programore.
Nga ana tjetër rrjetet sociale janë kthyer në një fushëbetejë paralele. DNV ka evidentuar dhjetëra raste të gjuhës së urrejtjes, shpifjes dhe dezinformimit në ditët e para të fushatës. Platforma “Hibrid”, që monitoron dezinformimin, raporton rritje të sondazheve të rreme, videove të dekontekstualizuara dhe përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale.
Sipas ekspertëve, këto praktika rrezikojnë të deformojnë perceptimin publik dhe të minojnë besimin në procesin zgjedhor. Paralajmërimet për ndikim të jashtëm, veçanërisht përmes narrativave që synojnë të theksojnë mungesën e demokracisë në Kosovë, shtojnë shqetësimet për një klimë politike të tensionuar.
Në këtë sfond, zgjedhjet e 7 qershorit shihen si një test vendimtar për stabilitetin institucional dhe për aftësinë e forcave politike për të dalë nga cikli i krizave të përsëritura. \tesheshi.com\