Pas vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë ndaj Shkëndijës, ka pasur reagime të ndërsjella mes federatës dhe sponsorit të klubit. Sponsori i Shkëndijës ka kërkuar rishikim urgjent të vendimit, duke vlerësuar se klubi ka funksionuar me korrektësi dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në futbollin vendor dhe ndërkombëtar. Sipas tij, paraqitjet e Shkëndijës në garat evropiane kanë ndikuar pozitivisht në koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet në vend. Ai e cilëson vendimin të dëmshëm për projektin sportiv dhe paralajmëron edhe mundësinë e tërheqjes nga klubi nëse situata nuk ndryshon. Nga ana tjetër, FFM ka reaguar duke theksuar se klubi po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga incidentet e finales së Kupës së Maqedonisë. Federata deklaron se asnjë presion apo kërcënim nuk do të ndikojë në vendimet e saj dhe se rregullat vlejnë njësoj për të gjitha klubet, veçanërisht sa i përket rendit dhe disiplinës. FFM shton se përfitimet nga garat evropiane burojnë nga pjesëmarrja në kampionatin vendor dhe se sistemi është i njëjtë për të gjithë klubet. Në reagim theksohet gjithashtu se kritikat ndaj udhëheqjes së federatës janë të pabazuara, duke rikujtuar sukseset e Shkëndijës në sezonin e kaluar me të njëjtin menaxhim. Sa i përket paralajmërimeve për tërheqje të sponsorit, FFM e cilëson këtë si vendim biznesi që respektohet, por thekson se nuk ndikon në vendimmarrjen e saj. Federata deklaron se çështja konsiderohet e mbyllur dhe se parimi i barazisë para rregullave mbetet i pandryshuar për të gjitha klubet. Në reagime është përfshirë edhe tifogrupi “Ballistët”, i cili ka shprehur mbështetje për klubin dhe ka vlerësuar se dënimi është i padrejtë. /SHENJA/