Negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara duket se po afrohen drejt një marrëveshjeje të përkohshme, por tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten. Sipas burimeve diplomatike, palët kanë gjetur pika të përbashkëta dhe zyrtarë amerikanë kanë lënë të kuptohet se marrëveshja është afër finalizimit.
Megjithatë, gjithçka mbetet pezull nga vendimi i presidentit amerikan Donald Trump dhe nga presionet politike që vijnë sidomos nga Izraeli. Në këtë klimë të pasigurt, shumë analistë besojnë se qeveria e Benjamin Netanyahu-t po vepron për të sabotuar çdo mundësi pajtimi me Iranin.
Izraeli ka përshkallëzuar sulmet ushtarake në Gaza dhe Liban, duke krijuar një atmosferë lufte që rrezikon të shkatërrojë përfundimisht negociatat diplomatike. Në Gaza, ushtria izraelite ka zgjeruar operacionet dhe Netanyahu ka deklaruar se synon kontrollin e 70 për qind të territorit të Rripit të Gazës.
Kjo përbën një shkelje të hapur të marrëveshjeve të mëparshme të armëpushimit, të cilat parashikonin një kontroll shumë më të kufizuar. Sipas analistëve, strategjia e qeverisë izraelite nuk lidhet vetëm me sigurinë, por edhe me zgjerimin territorial dhe dobësimin total të popullsisë palestineze.
Deklaratat e fundit të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, kanë shtuar edhe më shumë frikën e sabotimit të bisedimeve për paqe. Ai foli për një plan të “migrimit vullnetar” të palestinezëve nga Gaza, një formulim që shumë e interpretojnë si tentativë për spastrime etnike të maskuara me gjuhë diplomatike.
Ndërkohë, situata po përkeqësohet edhe në Liban. Izraeli ka zgjeruar operacionet ushtarake përtej jugut të Libanit dhe bombardimet kanë prekur sërish Bejrutin. Këto veprime ndodhin pikërisht në prag të takimeve diplomatike mes zyrtarëve libanezë dhe amerikanë, duke u parë si një formë presioni ndaj Libanit për të çarmatosur Hezbollah-un.
Sipas disa raportimeve, po diskutohet edhe krijimi i një force speciale që do të vepronte jashtë kontrollit të shtetit libanez dhe nën mbikëqyrjen amerikano-izraelite. Kritikët paralajmërojnë se kjo mund ta zhysë Libanin në një konflikt të ri civil, të ngjashëm me luftën e përgjakshme që shkatërroi vendin në vitet 1980.
Por elementi më tronditës lidhet me Iranin. Media amerikane “Capital & Empire”, pretendon se Izraeli po ushtron presion mbi SHBA-të që të eliminojnë Mohammad Bagher Ghalibaf, kreun e parlamentit iranian dhe drejtuesin e ekipit negociator me amerikanët.
Sipas raportit, kjo kërkesë është përmendur në dokumente që qarkullojnë brenda inteligjencës amerikane. Nëse një veprim i tillë do të ndodhte, ai do të shkatërronte çdo mundësi marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe do ta çonte rajonin drejt një lufte të re me pasoja globale.
Analistët kujtojnë se Izraeli ka një histori atentatesh ndaj figurave të përfshira në procese negociuese dhe frika është se po ndiqet e njëjta strategji: sabotimi i diplomacisë përmes dhunës.
Në fund, pyetja që ngrihet është e thjeshtë: a po kërkohet vërtet paqja, apo disa fuqi kanë interes që konflikti të vazhdojë pafundësisht? Për shumë njerëz, zhvillimet e fundit janë prova se politika e luftës dhe gjakderdhjes po mbizotëron mbi çdo përpjekje diplomatike. \tesheshi.com\