Avokati i Popullit kërkon mbylljen e 5 burgjeve: Cenojnë dinjitetin njerëzor!

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, kërkon mbylljen e 5 burgjeve në vend, duke i konsideruar kushtet në to si cenuese të dinjitetit njerëzor. Në raportin vjetor për vitin 2025 evidentohet se në disa institucione penitenciare, trajtimi i të burgosurve afrohet me standardin e trajtimit degradues, për shkak të ambienteve të amortizuara, mungesës së ajrimit, lagështirës, mbipopullimit dhe mungesës së shërbimeve shëndetësore. Gjetjet bazohen në inspektime në 18 burgje gjatë vitit 2025 dhe në 115 raste ankesash të trajtuara nga institucioni.

Sipas raportit, institucionet që duhet të mbyllen janë Burgu i Burrelit, Kosovë Lushnjë, Kukës, “Mine Peza” dhe godina A e Burgut “Jordan Misja” 313. Avokati i Popullit thekson se “në këto institucione janë konstatuar ambiente të amortizuara, mungesë hapësirash, lagështirë, ajrim dhe ndriçim i pamjaftueshëm, kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore e rehabilituese. Këto kushte rrezikojnë të cenojnë dinjitetin dhe integritetin fizik e psikologjik të personave të privuar nga liria, si dhe të bien ndesh me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për trajtimin human të tyre.”

Raporti ngre shqetësim edhe për përdorimin e lartë të masës “arrest në burg”, që ka çuar në mbipopullim të disa institucioneve penitenciare. Aktualisht, në sistemin penitenciar shqiptar ndodhen 5 mijë e 29 persona të privuar nga liria, ku 2 mijë e 858 prej tyre janë të paraburgosur. Kjo do të thotë se rreth 57% e popullsisë në burgje mbahet në paraburgim.