Ç’po ndodh me katolikët shqiptarë në përgjithësi e me ata të Kosovës në veçanti?!

Ngjan si një projekt tipik antishqiptar për të cenuar apo dhe zhbërë një ndër të rrallat virtyte kolektive tonat: bashkëjetesën fetare, një lloj krenarie që ia tregojmë rregullisht botës me një gjoksrrahje të merituar. Por këto kohë të trazuara gjeopolitike, të cilat kur ia behin trazojnë dhe vetë jetën e popujve, ngjan se ndaj shoqërisë shqiptare në përgjithësi po luhet në skenar i lig me shënjestër muslimanët, ku përballë tyre po vihen katolikët.

Dhe ky skenar po luhet në Kosovë, aty ku muslimanët janë një shumicë dominuese me mbi 90 përqind. Nisi para pak vitesh me një të astuquajtur Lëvizje Deçani – “Lëvizja për Rikthim”, e cila përbëhet nga individë pa ndonjë identitet apo prestigj shoqëror, të armatosur vetëm me një gjuhë urrejtjeje ndaj muslimanëve deri në kufijtë e veprës penale.