Skenari i errët, princi arab presion Trumpit të vijojë luftën: I kërkon të dërgojë trupa në Iran

Zyrtarë të lartë në qeveritë saudite dhe amerikane shqetësohen se nëse konflikti zgjatet, Irani mund të ndërmarrë sulme gjithnjë e më të rënda ndaj instalimeve saudite të naftës dhe Shtetet e Bashkuara mund të mbeten të përfshira në një luftë pa fund…

Arabia Saudite e udhëhequr nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, i ka bërë presion Presidentit Donald Trump që të vazhdojë luftën kundër Iranit, duke argumentuar se fushata ushtarake SHBA-Izrael paraqet një “mundësi historike” për të riformësuar Lindjen e Mesme, sipas personave të informuar nga zyrtarë amerikanë mbi këto biseda.

Gjatë javës së fundit, thuhet se Princi Mohammed i ka përcjellë Trumpit se ai duhet të vazhdojë drejt shkatërrimit të qeverisë së ashpër iraniane.

Princi Mohammed, sipas këtyre burimeve, ka argumentuar se Irani përbën një kërcënim afatgjatë për Gjirin, i cili mund të eliminohet vetëm duke rrëzuar qeverinë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjithashtu e sheh Iranin si një kërcënim afatgjatë, por analistët thonë se zyrtarët izraelitë ndoshta do ta konsideronin si fitore një shtet iranian të dështuar, të zhytur në trazira të brendshme dhe të paaftë për të kërcënuar Izraelin, ndërsa Arabia Saudite e sheh një skenar të tillë si një kërcënim të rëndë dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e saj.

Megjithatë, zyrtarë të lartë në qeveritë saudite dhe amerikane shqetësohen se nëse konflikti zgjatet, Irani mund të ndërmarrë sulme gjithnjë e më të rënda ndaj instalimeve saudite të naftës dhe Shtetet e Bashkuara mund të mbeten të përfshira në një luftë pa fund.

Në publik, Trump ka lëkundur qëndrimet, duke sugjeruar herë se lufta mund të përfundojë së shpejti dhe herë se ajo mund të përshkallëzohet. Të hënën, presidenti shkroi në rrjetet sociale se administrata e tij dhe Irani kishin zhvilluar “bisedime produktive për një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive”, megjithëse Irani kundërshtoi pretendimin se po zhvillohen negociata.

Pasojat e luftës për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Arabisë Saudite janë të mëdha. Sulmet iraniane me dronë dhe raketa, të ndërmarra si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, kanë shkaktuar tashmë ndërprerje të mëdha në tregun e naftës.

Zyrtarët sauditë hodhën poshtë pretendimin se Princi Mohammed ka ndërhyrë p]ër zgjatjen e luftës.

“Mbretëria e Arabisë Saudite gjithmonë ka mbështetur një zgjidhje paqësore të këtij konflikti, madje edhe para se ai të fillonte,” thuhet në një deklaratë të qeverisë saudite, duke shtuar se zyrtarët “mbeten në kontakt të ngushtë me administratën Trump dhe angazhimi ynë mbetet i pandryshuar.”

“Shqetësimi ynë kryesor sot është të mbrojmë veten nga sulmet e përditshme ndaj popullsisë dhe infrastrukturës civile,” shtoi qeveria.

“Irani ka zgjedhur përshkallëzim të rrezikshëm në vend të zgjidhjeve serioze diplomatike. Kjo dëmton çdo palë të përfshirë, por më shumë se të gjithë vetë Iranin.”

Trump ka dhënë herë pas here sinjale se është i hapur për të ulur intensitetin e luftës, por Princi Mohammed ka argumentuar se kjo do të ishte gabim dhe ka kërkuar sulme ndaj infrastrukturës energjetike iraniane për të dobësuar qeverinë në Teheran, sipas burimeve të informuara.

Ky artikull bazohet në intervista me persona që kanë pasur biseda me zyrtarë amerikanë dhe që i kanë përshkruar diskutimet në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të bisedave të Trumpit me liderët botërorë. The Neë York Times intervistoi persona me pikëpamje të ndryshme mbi vazhdimin e luftës dhe rolin e Princit Mohammed në këshillimin e Trumpit.

Karoline Leavitt, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, tha se administrata “nuk komenton bisedat private të presidentit.”

Princi Mohammed, një udhëheqës autoritar që ka udhëhequr një goditje të vazhdueshme ndaj kundërshtimit, respektohet nga Trump dhe ka ndikuar më parë në vendimmarrjen e tij. Sipas burimeve të informuara nga zyrtarë amerikanë, ai ka sugjeruar që SHBA të shqyrtojë vendosjen e trupave në Iran për të marrë nën kontroll infrastrukturën energjetike dhe për të detyruar largimin e qeverisë nga pushteti.

Ditët e fundit, Trump ka marrë më seriozisht në konsideratë një operacion ushtarak për të marrë nën kontroll ishullin Kharg, qendra kryesore e infrastrukturës së naftës në Iran. Një operacion i tillë, me forca ajrore të ushtrisë ose një sulm amfib nga marinsat, do të ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Por Princi Mohammed ka mbështetur operacione tokësore në bisedat e tij me Trumpin, sipas burimeve të informuara nga zyrtarë amerikanë.

Qëndrimet saudite ndaj luftës formësohen nga faktorë ekonomikë po aq sa nga ata politikë. Që nga fillimi i luftës, sulmet hakmarrëse të Iranit kanë bllokuar në masë të madhe Ngushticën e Hormuzit, duke penguar industrinë energjetike të rajonit. Pjesa më e madhe e naftës saudite, emirate dhe kuvajtiane kalon përmes kësaj rruge drejt tregjeve ndërkombëtare.

Megjithëse Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërtuar tubacione për të anashkaluar ngushticën, edhe këto rrugë alternative janë sulmuar.

Analistët thonë se, ndonëse Princi Mohammed ndoshta do të preferonte shmangien e luftës, ai shqetësohet se nëse Trump tërhiqet tani, Arabia Saudite dhe pjesa tjetër e Lindjes së Mesme do të mbeten përballë një Irani të fuqizuar dhe të zemëruar.

Në këtë këndvështrim, një ofensivë e papërfunduar do ta ekspozonte Arabinë Saudite ndaj sulmeve të shpeshta iraniane dhe mund t’i jepte Iranit mundësinë të mbyllë periodikisht Ngushticën e Hormuzit.

“Zyrtarët sauditë duan që lufta të përfundojë, por mënyra se si përfundon ka rëndësi,” tha Yasmine Farouk nga International Crisis Group.

Një sulm i mbështetur nga Irani në vitin 2019 ndaj objekteve saudite të naftës, që përkohësisht përgjysmoi prodhimin e vendit, e shtyu princin të rishqyrtojë qasjen e tij ndaj Republikës Islamike.

Më pas, Arabia Saudite ndoqi një afrimi diplomatik, duke rivendosur marrëdhëniet me Iranin në vitin 2023, pjesërisht sepse kuptoi se aleanca me SHBA-në ofronte vetëm mbrojtje të pjesshme.

Edhe vende të tjera të rajonit, si Emiratet e Bashkuara Arabe, ndoqën një qasje të ngjashme.

Pas vendimit të Trumpit për të hyrë në luftë, kundër këshillave të disa qeverive të Gjirit, Irani reagoi duke lëshuar mijëra raketa dhe dronë drejt vendeve të rajonit, duke prishur përpjekjet për normalizim.

“Çdo besim që ekzistonte më parë është shkatërruar plotësisht,” tha ministri i jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan.

Arabia Saudite përdor një stok të madh raketash mbrojtëse Patriot për t’u mbrojtur nga sulmet, por këto sisteme janë të kufizuara në nivel global. Sulmet kanë goditur rafineri dhe ambasadën amerikane, ndërsa mbetjet e raketave të rrëzuara kanë shkaktuar viktima civile.

Që nga fillimi i luftës, Netanyahu ka shtyrë për operacione që mund të çojnë në rrëzimin e qeverisë iraniane, ndërsa zyrtarët amerikanë janë më skeptikë për realizueshmërinë e këtij objektivi.

Edhe pse sulmet izraelite kanë eliminuar një numër të madh drejtuesish, qeveria iraniane mbetet në kontroll.

Analistët theksojnë se Arabia Saudite shqetësohet se një Iran i destabilizuar mund të jetë edhe më i rrezikshëm, pasi grupe të armatosura mund të vazhdojnë sulmet ndaj mbretërisë, veçanërisht ndaj objektivave të naftës.

Disa analistë të inteligjencës besojnë se Princi Mohammed e sheh luftën si një mundësi për të rritur ndikimin saudit në rajon dhe mendon se vendi mund të mbrohet edhe nëse konflikti vazhdon.

Në bisedat me princin, Trump ka shprehur shqetësim për rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin në ekonomi, ndërsa lideri saudit ka argumentuar se kjo situatë është e përkohshme.

Megjithatë, shumë zyrtarë dhe ekonomistë mbeten skeptikë se tregjet e naftës do të stabilizohen shpejt. Arabia Saudite nuk mund të kompensojë plotësisht mungesat, pasi kapaciteti i tubacioneve alternative është i kufizuar.

Edhe para luftës, Princi Mohammed përballej me sfida financiare në përmbushjen e vizionit të tij për transformimin ekonomik deri në vitin 2030.

Një luftë e zgjatur me Iranin rrezikon këto plane, pasi suksesi i tyre varet nga stabiliteti dhe siguria për investitorët dhe turizmin.

I pyetur nëse Arabia Saudite preferon një fund të menjëhershëm të luftës apo një konflikt më të gjatë që dobëson Iranin, ministri i jashtëm tha se prioriteti është ndalimi i sulmeve iraniane.

⬆️⬆️

TERHIQE LART

PER TE LEXUAR LAJMIN E PLOTE
VAZHDO ME LEXIMIN

⬆️⬆️