Një urë në rajonin e Thesalisë, në Greqi, është kthyer në simbol të paradokseve të Ballkanit. Edhe pse u shpall zyrtarisht e papërdorshme pas përmbytjeve shkatërrimtare të vitit 2023, automjetet vazhdojnë ta kalojnë çdo ditë, pavarësisht rrezikut të dukshëm.

Në shtatorin e vitit 2023, stuhia “Daniel” goditi Greqinë, Bullgarinë dhe Turqinë, duke shkaktuar përmbytje katastrofike, mijëra viktima dhe dëme që u llogaritën në miliarda euro.

Rajoni grek i Thesalisë ishte ndër më të prekurit, ku plot 79 ura u dëmtuan rëndë ose dolën jashtë funksionit. Mes tyre ishte edhe ura Palaiopyrgos, e cila lidh komunitetet bregdetare të bashkive Tempi dhe Agia.

Përmbytjet deformuan strukturën e saj, duke bërë që pjesa qendrore të përkulet dhe të mbetet vetëm pak centimetra mbi ujërat e lumit Pineios.

Që prej asaj kohe, ura është shpallur zyrtarisht e mbyllur për qarkullim. Megjithatë, ajo nuk është bllokuar fizikisht dhe nuk është riparuar, duke bërë që shumë drejtues mjetesh të injorojnë tabelat paralajmëruese dhe të vazhdojnë ta përdorin.

Pamjet e filmuara së fundmi me dron nga media lokale Larissanet, tregojnë një automjet tip Ford Ranger që lëviz ngadalë mbi urën e dëmtuar, duke kaluar me kujdes mbi pjesët e deformuara derisa arrin në anën tjetër.

Sipas banorëve të zonës, ky nuk është një rast i izoluar. Dhjetëra shoferë zgjedhin çdo ditë të kalojnë mbi urën e rrezikshme, pasi rruga alternative kërkon një devijim të gjatë që u kushton kohë dhe karburant.

Situata krijon probleme edhe për turistët. Shumë prej tyre drejtohen nga aplikacionet e navigimit drejt urës së shembur dhe vetëm kur mbërrijnë përballë saj kuptojnë se duhet ose të kthehen mbrapsht, ose të marrin rrezikun e kalimit mbi një strukturë që prej tre vitesh konsiderohet e pasigurt.

Rasti i urës Palaiopyrgos ka nxitur reagime në Greqi, pasi ilustron se si mungesa e ndërhyrjes dhe vonesat në rikonstruksion mund të detyrojnë banorët të zgjedhin mes sigurisë dhe nevojës për të vazhduar jetën e përditshme.

Edhe pse zyrtarisht “e shembur”, ura vazhdon të mbetet një rrugë kalimi për shumë njerëz. \tesheshi.com\

1 thought on “”

Comments are closed.