Sipas një opinioni të përhapur si në Kubë ashtu edhe jashtë saj, pushteti real në ishull nuk qëndron te Partia Komuniste, por te GAESA (Grupo de Administración Empresarial), një konglomerat i drejtuar nga ushtria që kontrollon mes 40-70 për qind të ekonomisë kubane.
Në dekadën e fundit, mendohet se ky grup ka pasur në dispozicion më shumë fonde sesa vetë buxheti zyrtar i shtetit. GAESA u themelua nga Raúl Castro dhe vazhdon të drejtohet nga figura të lidhura me familjen e tij.
Edhe administrata amerikane e konsideron GAESA-n si qendrën e vërtetë të pushtetit në Kubë dhe beson se çdo reformë ekonomike duhet të kalojë përmes dobësimit ose shpërbërjes së saj.
Për këtë arsye janë vendosur sanksione ndaj drejtueses aktuale, gjeneral brigade Ania Guillermina Lastres Morera, ndërsa motra e saj është arrestuar në SHBA. Në strategjinë e Donald Trump dhe Marco Rubio-s, presioni ekonomik synon të çojë në ndryshim regjimi.
Më 1 maj, SHBA-ja vendosi sanksione dytësore ndaj kompanive të huaja që bëjnë biznes me GAESA-n. Një kompani minerare kanadeze dhe dy kompani transporti pezulluan aktivitetin në Kubë, ndërsa kompani të mëdha kanadeze e spanjolle në turizëm pritet të ndjekin të njëjtën rrugë.
Edhe paditë kundër 95-vjeçarit Raúl Castro, shihen si presion indirekt ndaj konglomeratit, pasi besohet se ai vijon ta ndikojë atë përmes rrjeteve familjare. GAESA kontrollon sektorin kyç të turizmit: dhjetëra hotele, resorte, dyqane luksi, marina për jahte, si dhe supermarkete, agjenci udhëtimi, zyra këmbimi valutor, kompani telefonie dhe Bankën Financiare Ndërkombëtare.
Ajo administron edhe portin e Marielit, një zonë e lirë tregtare pranë Havanës. Praktikisht çdo aktivitet që përfshin valutë të fortë kalon përmes saj. Bilancet e saj janë sekrete dhe nuk përfshihen në llogaritë publike të shtetit.
Në vitin 2024, dokumente konfidenciale të publikuara nga Miami Herald sugjeronin fitime prej 2 miliardë dollarësh në tremujorin e parë dhe fonde në dispozicion mbi 18 miliardë dollarë.
Analiza të mëvonshme e reduktuan ndjeshëm këtë shifër, duke ngritur dyshime për ngatërrim mes pesos kubane dhe dollarëve. Megjithatë, ndikimi ekonomik i GAESA-s mbetet i jashtëzakonshëm.
Grupi u krijua në vitet 1990 gjatë “Período Especial”, krizës pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ushtria mori në dorë sektorë strategjikë, sidomos turizmin, me idenë e rritjes së efikasitetit dhe sigurimit të valutës së huaj.
Fillimisht modeli funksionoi, por me kalimin e viteve investimet masive në hotele luksoze rezultuan problematike. Në vitin 2024, rreth 40 për qind e buxhetit shtetëror u shpenzua për turizmin, shumë më tepër se për arsimin dhe shëndetësinë së bashku, ndërkohë që fluksi i turistëve ra ndjeshëm.
Simbol i kësaj strategjie është hoteli Torre K-23 në Havanë, një ndërtesë 42-katëshe me 600 dhoma, e hapur në vitin 2025 por kryesisht bosh. Struktura të ngjashme në Cayo Cruz mbeten të mbyllura ose gjysmë bosh.
Qeveria kubane argumenton se investimi në turizëm ishte rruga më e shpejtë për të siguruar valutë dhe për të modernizuar ekonominë, ndërsa dështimi i atribuohet embargos amerikane. Ndërkohë, kritikët e akuzojnë elitën ushtarake për pasurim në kurriz të popullsisë dhe për tradhti ndaj idealeve revolucionare. \tesheshi.com\