Kur vapa dikton jetën: si është një ditë në qytetin më të nxehtë të Indisë…

Në Banda, një distrikt në shtetin Uttar Pradesh të Indisë veriore, mëngjesi nuk ngjan më me mëngjes. Që në orët e para të ditës, dielli ndriçon me intensitetin e një pasditeje vere, ndërsa temperaturat arrijnë deri në 47-48 gradë Celsius për ditë të tëra me radhë.

Gjatë muajit maj, Banda u rendit shpesh si vendi më i nxehtë në Indi. Për më shumë se një javë, temperaturat ekstreme mbetën pothuajse të pandryshuara, duke sfiduar jo vetëm banorët, por edhe mënyrën tradicionale të jetesës në rajon.

Në tregun e perimeve në Atarra, rreth 30 kilometra larg qendrës së distriktit, aktiviteti fillon para agimit. Fermerët mbërrijnë me prodhimet e tyre sapo lind dielli, me shpresën se do t’i shesin para se vapa të bëhet e padurueshme.

“Është vetëm ora 6:15 e mëngjesit, por duket sikur është ora 9!”- thotë për BBC një tregtar vendas, ndërsa tregon drejt qiellit të ndezur. Sipas tij, temperaturat e larta po ndikojnë edhe te produktet bujqësore, të cilat prishen shumë më shpejt se zakonisht.

Aty ku dikur tregu qëndronte plot deri në mesditë, sot aktiviteti zbehet që në orën tetë të mëngjesit. Deri në orën dhjetë, shumica e tregtarëve janë larguar. I njëjti ritëm po ndiqet në të gjithë qytetin.

Punëtorët e ndërtimit, fermerët dhe ata që punojnë në natyrë po përpiqen të shmangin orët më të nxehta të ditës. Muratori Pappu Verma e nis punën në orën shtatë të mëngjesit, e ndërpret aktivitetin në mesditë dhe rikthehet në punë pas orës katër të pasdites.

“Pushimi nuk më kursen nga lodhja, por të paktën shmang dhimbjet e kokës dhe të vjellat”- thotë ai. Megjithatë, kjo do të thotë që dita e tij e punës zgjatet deri në 12 ose 13 orë.

Për shumë banorë, nxehtësia nuk është vetëm një shqetësim, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin. Spitalet lokale raportojnë dhjetëra raste çdo ditë të lidhura me valën e të nxehtit. Fëmijët dhe të moshuarit konsiderohen grupet më të rrezikuara, ndërsa simptomat më të zakonshme janë dehidratimi, ethet, të vjellat dhe problemet gastrointestinale.

Në një urë mbi lumin Ken, disa punëtore rrugësh gjejnë strehë nën hijen e një kamioni cisternë gjatë pushimit të drekës. Shanti Devi, njëra prej tyre, ecën rreth 12 kilometra çdo ditë për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna.

“Të varfrit nuk e kanë luksin të shqetësohen për të nxehtin…” – thotë ajo, ndërsa konsumon një vakt të thjeshtë me bukë, qepë dhe turshi. Lumi Ken, që dikur ndihmonte në zbutjen e temperaturave të zonës, po humbet gradualisht aftësinë e tij ftohëse.

Studiuesit lidhin këtë fenomen me nxjerrjen intensive të rërës dhe pakësimin e ujërave nëntokësore, faktorë që kanë përkeqësuar kushtet klimatike në rajon. Ndërkohë, ndryshimet ndihen edhe në ekonomi.

Dyqanet hapen më herët dhe mbyllen gjatë mesditës, ndërsa shoferët e rikshave elektrike përballen me mungesë klientësh gjatë orëve më të nxehta. Qyteti duket i zbrazët për disa orë çdo ditë, përpara se jeta të rikthehet gradualisht në mbrëmje.

Sipas ekspertëve të klimës, Banda nuk është një rast i izoluar. E gjithë Rrafshina Indo-Gangetike konsiderohet një nga rajonet më të prekura në botë nga kombinimi i temperaturave të larta dhe lagështisë, që e bën nxehtësinë edhe më të rrezikshme për organizmin e njeriut.

Shkencëtarët paralajmërojnë se humbja e pemëve, urbanizimi dhe shfrytëzimi intensiv i burimeve natyrore po kontribuojnë në përkeqësimin e situatës. Studimet e fundit tregojnë se Banda ka humbur një pjesë të konsiderueshme të mbulesës pyjore gjatë tri dekadave të fundit.

Pas perëndimit të diellit, temperaturat mbeten ende pranë 30 gradëve Celsius. Banorët ankohen se nuk kanë më mundësi të freskohen as gjatë natës. “Më duket sikur mëngjeset dhe netët nuk ekzistojnë më” – thotë meteorologu Dinesh Sah.

Në fshatrat përreth, sfida kryesore mbetet sigurimi i ujit. Familje të tëra presin me orë të tëra pranë puseve, ndërsa energjia elektrike ndërpritet shpesh gjatë pasdites. Për shumë banorë, hija e pemëve është i vetmi mjet natyror për t’u mbrojtur nga vapa.

Edhe pse reshjet e fundit sollën një ulje të përkohshme të temperaturave, banorët e Banda-s e dinë se lehtësimi nuk do të zgjasë shumë. Përshtatjet që dikur konsideroheshin të përkohshme tashmë po bëhen pjesë e përditshmërisë.

Në këtë cep të Indisë, jeta vazhdon nën një diell gjithnjë e më të ashpër. Banorët janë mësuar të jetojnë me nxehtësinë, por shqetësimi i ekspertëve është se çdo vit ajo po bëhet më intensive, më e gjatë dhe më e vështirë për t’u përballuar. Në Banda, lufta kundër vapës nuk është më një episod sezonal, por një realitet i përhershëm. \tesheshi.com\