Në një reagim pas protestave në Zvërnec, kompania që synon të investojë aty një resort turistik, nuk kishte asnjë ndjesë ndaj rastit të marrjes zvarrë të një protestuesi nga sigurimi privat i saj, dukshëm persona pa gjak dhe me imazh kriminal madje.
Aty kishe vetëm një keqardhje: “Me keqardhje të thellë që po abuzohet me ndjenjat e publikut në rrjetet sociale dhe po investohet për të përbaltur një sipërmarrje kolosale për turizmin dhe ekonominë shqiptare, kompania ‘Zvërnec South Adriatic Development’”, niste reagimi.
Më pas, vjen pjesa e joshjes ekonomike, si në rastin e Gazës, ku Trump & Co ofron projekte investuese aty ku toka është larë në gjak, pas së cilave fshihet përzënia e vendasve, atyre që nuk pranojnë të lëshojnë tokën e tyre dhe nën gjenocid.
“Investimi parashikohet të arrijë vlerën e mbi 4 miliardë eurove, duke kontribuar me një rritje nga tre deri në katër përqind në GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Shqipërisë, në pesë vitet e ardhshme”.
Investimi do të krijojë direkt dhe indirekt mbi 10.000 (dhjetë mijë) vende të reja pune, duke u bërë një motor i rëndësishëm për ekonominë e zonës, të qarkut Vlorë dhe gjithë Shqipërisë”, thuhet në deklaratë, sikur ta kishte shkruar vetë Rama. Pse? Sepse premtimet e Ramës të tilla janë, siç kanë qenë prej kur erdhi në pushtet, për shumëçka, ku pothuajse të gjitha kanë rezultuar flluska.
Më tej vjen kjo pjesë e reagimit:
“Bazuar në eksperiencat e mëparshme të investitorëve, që kanë një portofol ndër më të spikaturit globalisht në fushën e turizmit, kompania beson se…”.
Pyetja që vjen është: cilat janë këto eksperienca? Ku janë zbatuar? Cili është bilanci i tyre?
Duhet kuptuar që protesta e djeshme në Zvërnec nuk ishte një refuzim i zhvillimit ekonomik, por një mllef për shumëçka po shkon mbrapsht në këtë vend, ku tashmë po shfaqet qartë dhe gjëma që po troket: izraelizimi i Shqipërisë, pikërisht me të tilla forma, ku kolonializimit i paraprihet me kinse investime zhvillimore.
Në finale, testi më adekuat nëse një vend i ka punët mbarë ose jo, është raporti i qytetarit me vendin, si dhe me shtetin e tij.
Qytetari shqiptar po e urren dhe më shumë shtetin e vet me Edi Ramën në pushtet, prej padrejtësive të mëdha qeverisëse, duke zgjedhur që mos jetojë më këtu. Po e bën këtë si kurrë më parë në histori, madje as si në 97-ën. Dhe mjafton kaq që Edi Rama të shihet si drama më e madhe në historinë e politikës shqiptare e jo si më i sukseshmi i saj, siç do pëlqente të shihej e gjykohej.
Qeverisja e tij po trazon në varr dhe gjyshen e ndjerë, atë që e rriti dhe që pretendon se e mëkoi me principin e bërjes mirë për këtë vend. Jo, as ajo nuk mund t’ja falë këtë që po bën për Shqipërinë, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj nesër.
Për këtë palo qeverisje, me tradhëti kombëtare brenda, vetë Edi Rama do kishte ulëritur nga marrazi dhe do e kish mprehur keq penën e tij acide për ta bërë fërtele në denoncim të tipit pamflet politik, nëse do kishte ai kritizieri rebel, apo qoftë dhe thjesht në kushte opozitari politik. /tesheshi.com/