Në arkivat e Bibliotekës së Vatikanit ndodhej prej më shumë se 400 vitesh një dorëshkrim misterioz i mbushur me simbole të pakuptueshme. I njohur si “shifra e Borg-ut”, libri prej 408 faqesh përmbante receta dhe trajtime sekrete mjekësore që në atë kohë mbaheshin të fshehta për shkak të frikës nga akuzat për magji.
Për dekada, askush nuk arriti ta lexonte tekstin, sepse nuk ekzistonte asnjë çelës deshifrimi dhe shumë faqe ishin dëmtuar nga koha. Së fundmi, studiuesit arritën ta zbulojnë kodin falë inteligjencës artificiale dhe teknikave të të mësuarit automatik.
Ata zbuluan mijëra receta të çuditshme, si përdorimi i verës së kuqe ose fermentimi i arrëmyshkut për trajtimin e dizenterisë. Sipas Beata Megiesi, profesoreshë e gjuhësisë kompjuterike në Universitetin e Stokholmit, procesi i deshifrimit është si një punë detektive ku çdo simbol dhe model mund të çojë drejt një bote historike të humbur.
Ekspertët vlerësojnë se rreth një përqind e dokumenteve në arkiva dhe biblioteka në mbarë botën janë të koduara plotësisht ose pjesërisht. Këto tekste përmbajnë informacione të rëndësishme: sekrete diplomatike, rituale të shoqërive të fshehta, njohuri mjekësore, letra dashurie dhe komplote politike.
Në disa raste, deshifrimi i tyre mund të ndryshojë mënyrën si kuptojmë figura ose periudha historike. Një shembull i rëndësishëm janë letrat e koduara të Mbretëreshës Meri të Skocisë, të cilat zbuluan përfshirjen e saj në plane për të rifituar fronin dhe marrëdhëniet e tensionuara me djalin e saj.
Po ashtu, një letër e perandorit Sharli V, e deshifruar pas gjashtë muajsh pune, tregoi frikën e tij nga një komplot për ta vrarë. Deshifrimi i këtyre dokumenteve është jashtëzakonisht i vështirë.
Para se të fillojë analiza, studiuesit duhet t’i transkriptojnë me kujdes tekstet e shkruara me dorë në formë dixhitale. Shkrimi i paqartë, bojërat e zbehura dhe simbolet e pazakonta e komplikojnë procesin.
Kriptologia franceze Sesil Pierro thotë se ndonjëherë i duhet një ditë e tërë vetëm për të transkriptuar një letër dyfaqëshe. Inteligjenca artificiale po e përshpejton këtë punë. Studiues në Universitetin e Oslos përdorën platformën “Transkribus” për të transkriptuar një letër sekrete të vitit 1637, të shkruar gjatë Luftës 30-vjeçare.
Sistemi analizoi automatikisht rreshtat dhe karakteret, duke e kthyer tekstin në format dixhital. Megjithëse kërkoheshin disa korrigjime manuale, procesi ishte shumë më i shpejtë se metodat tradicionale.
Megyesi dhe kolegët e saj po zhvillojnë tani një projekt të quajtur “Descrypt”, i cili synon të krijojë modele më fleksibël të inteligjencës artificiale për të njohur alfabetet dhe simbolet historike.
Qëllimi është që AI jo vetëm të transkriptojë tekstin, por edhe ta deshifrojë automatikisht. Një tjetër arritje ishte përdorimi i AI për “shifrën Copiale”, një dorëshkrim i shekullit XVIII që përshkruan ritualet e një shoqërie sekrete gjermane.
Sistemi u trajnua me shembuj të tekstit të deshifruar dhe më pas arriti të lexonte pjesë të panjohura të dokumentit. Ekipi ka krijuar edhe një chatbot eksperimental që kombinon njohjen e imazhit, transkriptimin dhe deshifrimin në një hap të vetëm.
Kur u testua me shifrën Borg, sistemi përktheu një fragment prej 500 simbolesh në vetëm 29 minuta dhe madje shpjegoi arsyet pse interpretimi konsiderohej i saktë. Studiuesit besojnë se mjete të tilla mund të ndihmojnë jo vetëm në zgjidhjen e kodeve historike, por edhe në deshifrimin e gjuhëve të lashta ende të pakuptueshme.
Midis tyre janë disku 4.000-vjeçar i Faistos në Kretë dhe sisteme të tjera të vjetra shkrimi që vazhdojnë të mbeten mister. Për historianët, inteligjenca artificiale po hap një epokë të re në zbulimin e sekreteve të së kaluarës. \tesheshi.com\