Shtetet e Bashkuara po përballen me një nga goditjet më të mëdha në sektorin e turizmit ndërkombëtar në dekadat e fundit. Sipas një analize të publikuar nga CNN, viti 2025 shënoi rënien e parë të madhe të vizitorëve të huaj pas pandemisë Covid-19, me miliona turistë që zgjodhën të mos udhëtojnë drejt Amerikës.
Të dhënat tregojnë se rreth katër milionë më pak vizitorë hynë në SHBA krahasuar me vitin 2024, ndërsa ekonomia amerikane humbi mbi 8 miliardë dollarë nga shpenzimet turistike.
Ekspertët e industrisë e konsiderojnë këtë një sinjal alarmi jo vetëm për ekonominë, por edhe për mënyrën se si Amerika perceptohet sot në arenën ndërkombëtare.
Sipas CNN, shumë turistë po shmangin SHBA-në për shkak të klimës politike të krijuar gjatë presidencës së Donald Trump. Retorika e ashpër ndaj emigrantëve, tensionet me aleatët tradicionalë, debatet për luftërat dhe tarifat tregtare kanë krijuar një ndjenjë pasigurie dhe refuzimi tek shumë vizitorë të huaj.
Analistja e sigurisë kombëtare Juliette Kayyem, thotë se Amerika nuk shihet më si modeli që shumë vende dëshironin të ndiqnin dikur. Sipas saj, “fuqia e butë” e SHBA-së është dobësuar ndjeshëm, ndërsa imazhi i vendit lidhet gjithnjë e më shumë me konflikte politike, polarizim dhe tensione sociale.
Një pjesë e madhe e rënies së turizmit lidhet me kanadezët, të cilët tradicionalisht përbënin një nga grupet më të mëdha të turistëve në SHBA. Shumë prej tyre kanë vendosur të bojkotojnë udhëtimet drejt Amerikës për arsye politike dhe ideologjike.
Disa janë shprehur të zhgënjyer nga deklaratat e Trump ndaj Kanadasë dhe nga mënyra se si administrata amerikane ka trajtuar çështjet ndërkombëtare. Një qytetar kanadez, i intervistuar nga CNN, tha se kishte anuluar një udhëtim tradicional në Indianapolis që ai e ndërmerrte prej shumë vjetësh, sepse nuk dëshironte të kalonte pushimet mes debatesh politike dhe tensioni.
Ai shtoi se SHBA nuk i duket më një vend relaksues dhe mikpritës si dikur. Pasojat po ndihen shumë edhe nga bizneset amerikane. Operatorë turistikë në Seattle, Kaliforni dhe Florida raportojnë një rënie drastike të rezervimeve, humbje të mëdha financiare dhe pushime nga puna.
Disa kompani të vogla turistike kanë mbetur me gjysmën e të ardhurave krahasuar me vitet paraardhëse. Edhe kompani gjigante si The Walt Disney Company kanë raportuar rënie të vizitorëve ndërkombëtarë dhe ulje të rezervimeve në hotele.
Florida, një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, rezulton ndër zonat më të prekura nga kjo krizë. Ekspertët paralajmërojnë se rikuperimi mund të zgjasë për vite. Parashikimet tregojnë se SHBA mund të mos rikthehet në nivelet e turizmit para pandemisë deri në vitin 2029.
Ndërkohë, shumë turistë po zgjedhin destinacione të tjera si Japonia, Italia apo Austria, vende që perceptohen si më të sigurta, më të qëndrueshme politikisht dhe më mikpritëse.
Sipas specialistëve të turizmit, Amerika duhet të investojë sërish në përmirësimin e imazhit të saj ndërkombëtar, të ulë tensionet politike dhe të rikthejë besimin e vizitorëve të huaj. Në të kundërt, dëmi ekonomik dhe diplomatik mund të bëhet edhe më i thellë në vitet e ardhshme. \tesheshi.com\